ÇËSHTJET AKTUALE
Përgjysmimi i popullsisë në 35 vjet: ku po shkon Shqipëria?
Pas shekujsh izolimi, shqiptarët fituan njëfarë lirie të lëvizjes në filllim të viteve 90-të të shekullit të kaluar. Pas liberalizimit të vizave në vitin 2010, liria e lëvizjes mor një dimension të ri. Përgjatë 35 viteve popullsia e Shqipërisë është përgjysmuar. Kur dhe si mund të arrihet një ekuilibër i ri? Si do të duket Shqipëria pas tij?
A i njohim përfundimisht miqtë dhe aleatët tanë?
Pas shumë shekujsh përpjekjesh për mbijetesë, shqiptarët kanë arritur të jenë pjesë e bashkësisë euroatlantike, anëtarë në NATO dhe kandidatë për në BE. Endjet gjeopolitike të Shqipërisë në Lindje nga Turqia, Bashkimi Sovjetik apo Kina, duket se më në fund kanë pushuar. Por çfarë do të thotë kjo?
Si mund ta zbresim fuqinë e vendimmarrjes tek njerzit?
Demokracia po tenton të lëshojë rrënjë në Shqipëri pas një periudhe të stërgjatur totalitarizmi. A mundet që, në një vend ku ende Kushtetuta flet për shtetas dhe jo për qytarë, këta të fundit të ushtrojnë fuqi vendimmarrëse? Si duhet zbritur fuqia tek njerëzit?
Si ta kryejmë tranformimin digjital të sigurisë publike dhe të institucioneve të sigurisë?
Në kushtet e digjitalizimit të jashtëzakonshëm të jetës sonë, edhe kërcënimet dhe rreziqet po digjitalizohem me ritëm të lartë. Për të përballuar këtë tendencë të përgjithëshme duhet të digjitalizohet edhe përgjigja ndaj tyre. Bashkë me dijgitalizimin e shërbimeve duhen digjitalizuar edhe institucionet e sigurisë publike dhe ato të zbatimit të ligjit. Si mund të bëhet kjo?
A mund të kemi edhe “vlera artificiale” krahas inteligjencës artificiale?
Modernizimi digjital dhe inteligjenca artificiale duken opsione premtuese të cilat jo rrallë shpallen si një lloj “panacea” për shumë prej sfidave apo dështimeve të deritanishme. Shumë besojnë se inteligjenca artificiale do të luftojë korrupsionin, do të përshpejtojë integrimin europian, etj.. Por kush do ta krijojë atë? Mbi cilat vlera dhe parametra do të ndërtohet inteligjenca artificiale dhe, mbi të gjitha, kush do ta mbajë përgjegjësinë publike për vendimet e mbështura mbi të?
A mjafton reforma në drejtësi pa të njejtën reformë në polici?
Shqipëria ka ndërmarrë një reformë të pa precedentë në drejtësi, e cila është fokusuar në një segment të kufizuar të spektrit të kriminalitetit: korrupsionin dhe krimin e organizuar. Por kush merret me morinë e krimeve të tjera? A mund të kemi dy kategori të ndryshme institucionesh ligjzbatuese? A mjafton një BKH e reformuar përballë një policie krejt ndryshe? Si mund të krijojmë një sistem drejtësie dhe një sistem të zbatimit të ligjit që janë në të njëjtin nivel performance dhe integriteti.
Pasuria vetiake dhe pasuria publike: cili është ekulibri?
Epoka e ekonomisë së tregut të lirë ka sjellë një rritje eksponenciale të vëllimit të pasurisë individuale, e cila as që ekzistonte gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Në një kah tjetër ka lëvizur pasuria publike, e cila ka njohur një tkurrje të jashtëzakonshme. A ka ardhur koha të mendojmë seriozisht për raportet mes sipërfaqes së banuar dhe asaj që shërben për rrugët, parqet, mjediset e rekreacionit, institucionet publike etj.? Cili është ekulibri i shëndetshëm mes publikes dhe privates?
Çmimi i sigurisë: Sa duhet të paguajmë për të?
Progresi i përgjitshëm i shoqërisë, zhvillimi ekonomik dhe rritja e nivelit të mirëqenies shoqërohen edhe me rritjen e kostove përkatëse për sigurinë. Rritja e shpenzimeve për mbrojtjen e vendit nga rreziqet e jashtme, nuk mund të jetë investimi i vetëm për sigurinë tonë, e cila sifidohet dhe kërcënohet veçanërisht nga brenda. A mjafton ajo që paguajmë për të?
Mbrojtja e vendit: kush do t’a bëjë atë?
Koncepti ynë për mbrojtjen e vendit ka ndjekur një trajektore shumë dinamike. Dikur ajo ishte gjithëçka, pas rënies së diktaturës ajo u bë asgjë. Me hyrjen në NATO, dhe sidomos pas shërthimit të luftës nga Rusia në Ukraninë, mbrojtja po bëhet diçka. Por kush do ta bëjë atë? Cila është ajo pjesë e barrës për mbrojtjen që nuk mund të transferojmë tek NATO dhe që do të duhet ta bëjmë vetë? Kush do ta bëjë atë?
A është liria e pakufizuar e medias edhe burim i dezinformimit?
Pas mungesës totale të lirisë së shprehjes dhe të medias gjatë diktaturës, shqiptarët fituan lirinë e tyre. Nga mohimi total i këtyre të drejave, shqiptarët kaluan në epokën e lirisë për të shprehur dhe për të përhapur gjithëçka. Liria e plotë vlen si për të vërtetën ashtu edhe për të pavërtetën. Në kushtet e një mjedisi kaotik ku e vërteta dhe gënjeshtra kanë liri të plotë për të konkuruar me njëra tjetrën, qytetarët qëndrojnë të topitur në mes, në vështirësi serioze për të zgjedhur. Çfarë duhet bërë? A mund t’i besohet edhe kjo konkurrencë vetëm “tregut të lirë”?
Partitë politike si grupime interesi apo si institucione të demokracisë?
Partitë politike që lindën pas kolapsit të sistemit komunist dhe të partisë udhëheqëse të tij mbartën shumëçka prej saj në mënyrën se si ato u konceptuan. Në Shqipëri ato ende e cilësojnë vetën si grupime interesi, duke i dhënë vetes të drejtën për t’u sjellë si entitete private. Nga ana tjetër, kushtetuta u jep atyre përgjegjësinë e një institucioni të demokracisë. Por institucionet bazohen në ligje, i nënshtrohen trasparencës dhe nuk mund të mbrojnë asnjë interes tjetër përveç atij publik. Si mund të heqin dorë partitë tona politike nga përfaqësimi i interesave të grupeve të caktuara në favor të interesit publik?